Java 3–7 gusht: Fed-i i heshtun, nafta e zhurmshme dhe NVIDIA në mes

Analizë javore e tregut amerikan me fokus te NVIDIA (NVDA). Çka po pritet, ku janë rreziqet dhe ku janë mundësitë.
Korriku mbaroi si ato ndeshjet ku rezultati final s'e tregon hiç sa nervoze ka qenë loja. Nëse kqyr veç numrat e muajit, S&P 500 mbylli praktikisht aty ku e nisi (−0.1%), Dow-i doli edhe pak plus (+0.3%) e mori muajin e katërt me radhë pozitiv. Po nëse ke qenë brenda tregut, e ke pa qysh çipat morën dru: Nasdaq-u ra rreth 3%, indeksi i gjysmëpërçuesve hyni në treg bear, dhe brenda katër ditësh u fshinë mbi një trilion dollarë vlerë tregu nga kompanitë që e mbajnë krejt boom-in e inteligjencës artificiale.
E pastaj e premtja: Amazon-i u ngrit rreth 15% pas rezultateve, Alphabet-i afër 7%, dhe NVDA-ja mbylli +3.46% te $200.75. Sikur asgjë s'ka ndodhë.
Kjo javë e re s'ka rezultate të NVIDIA-s — ato vijnë më 26 gusht. Po ka diçka ma interesante: ka me qenë java kur tregu vendos a ishte paniku i korrikut i merituar apo veç frikë verore.

Kalendari: dy data që e vendosin javën
Krejt java mund të përmblidhet në dy ngjarje, e pjesa tjetër asht mbushje.
E marta, 4 gusht — AMD raporton pas mbylljes së tregut. NVIDIA nuk flet deri më 26 gusht, prandaj AMD-ja asht e vetmja kompani e madhe e çipave që del para investitorëve këtë javë. Tregu ka me e lexu si zëvendëse të NVIDIA-s.
Rëndësi ka veç një gja: udhëzimi për tremujorin e ardhshëm — jo fitimi i tremujorit që kaloi.
Udhëzim i fortë do të thotë se klientët po vazhdojnë me ble. Atëherë frika se shpenzimet për AI po ngadalësohen dobësohet, dhe kjo e ndihmon edhe NVDA-në.
Udhëzim i butë do të thotë se edhe porositë e NVIDIA-s mund të dalin ma të vogla sesa pret tregu. Atëherë sektori i çipave bie prapë, dhe NVDA me të.
E premtja, 7 gusht, ora 8:30 sipas kohës së Nju Jorkut — raporti i punësimit për korrik. Qershori dha veç 57 mijë vende pune dhe papunësia 4.2%. Aty asht edhe kurthi: prilli dhe maji u revizionuan poshtë me gjithsej 74 mijë vende. Prandaj mos e kqyr veç numrin e madh — kqyri revizionet.
Në mes: e hëna sjell ISM-in e prodhimit, e mërkura sjell ADP-në dhe ISM-in e shërbimeve, ndërsa e enjtja asht ditë e qetë. Nga rezultatet, Palantir hap javën të hënën, e mërkura sjell Disney-n, Uber-in dhe Eli Lilly-n.

Makroja: një Fed që s'po flet, dhe një naftë që s'po hesht
Më 29 korrik, Fed-i i la normat aty ku ishin, 3.50–3.75%, për herë të pestë me radhë. Deri këtu, asgjë e re. E reja asht se tre votues dolën kundër — dhe të tre kërkuan RRITJE të normave, jo ulje. Nuk ka pasë tre kundërshtime në një mbledhje qysh prej vitit 2016.
Kryetari i ri, Kevin Warsh, e ka bo të qartë se s'ka me dhanë sinjale paraprake për ku po shkon politika monetare. Deklaratat e Fed-it tash janë ma të shkurtra se një mesazh në WhatsApp. Për tregun kjo don me thanë një gja: çdo numër i inflacionit dhe i punësimit e ka peshën e dyfishtë, sepse s'ka ma askush që ta tregojë rrugën përpara.
Dhe inflacioni s'po bindet. PCE-ja bazë e qershorit doli 3.3% në vit — poshtë nga maji, po hala shum larg objektivit 2%. Arsyeja kryesore rri në Ngushticën e Hormuzit: lufta mes SHBA-së dhe Iranit e ngriti Brent-in mbi 20% brenda korrikut, deri te $90.12 të premten, pasi Irani deklaroi se sulmoi dy anije-cisterna.
Nafta e shtrenjtë do të thotë inflacion i shtrenjtë, e inflacioni i shtrenjtë do të thotë Fed i shtrenjtë. Obligacioni 10-vjeçar asht rreth 4.66%, ai 30-vjeçari mbi 5.1%. Për një treg ku gjysma e vlerësimeve mbështeten te fjalia "paratë do të lirohen së shpejti", kjo asht ftohje e mirë.
Dhe pastaj, VIX-i te 16.4. Domethanë, tregu po fle rehat përballë një kalendari që s'ka hiç arsye me e lanë me fjetë. Kjo asht ose besim, ose vetëkënaqësi — ndarja mes tyre zakonisht bahet të premten në mëngjes.

NVIDIA: biznesi asht i shkëlqyeshëm, historia asht e ndërlikuar
Le t'i ndajmë dy gjanat, sepse tregu po i ngatërron.
Biznesi. Në tremujorin e fundit të raportuar (Q1 FY27, 20 maj 2026), NVIDIA bëri të hyra rekord prej $81.6 miliardë, +85% në vit. Data Center-i vetëm: $75.2 miliardë, +92%. Marzha bruto 75%. Fitimi për aksion (jo-GAAP) $1.87, +140%. Paraja e lirë $48.6 miliardë brenda një tremujori — kaq sa buxheti vjetor i disa shteteve evropiane. Bordi e rriti dividendën nga 1 cent në 25 cent për aksion dhe shtoi edhe 80 miliardë dollarë për riblerje aksionesh.
Udhëzimi për tremujorin që po raportohet më 26 gusht: $91 miliardë ±2%, pa llogaritë asnjë dollar të ardhurash nga Kina. Konsensusi i analistëve rri edhe pak ma lart, rreth $93.5 miliardë.

Historia. Dhe këtu fillon problemi. Aksioni bie 15% nga maja e majit ($236.54) edhe pse çdo rresht i pasqyrës financiare po përmirësohet. Kjo do të thotë se tregu s'po e vë në dyshim tremujorin — po e vë në dyshim vitin 2028.
Tri arsye konkrete:
1. Financimi rrethor. Më 26 korrik, Wall Street Journal raportoi se NVIDIA po negocion një garanci financiare prej rreth $250 miliardë për një kampus prej 10 gigavatësh të OpenAI-t në Ohio, plus bisedime për deri në $350 miliardë financim për vetë çipat. Domethanë: NVIDIA garanton paratë me të cilat klienti i blen çipat e NVIDIA-s. Michael Burry — po, ai i "The Big Short" — e ka rritë pozicionin e shkurtër kundër NVDA-së dhe e komentoi pikërisht këtë strukturë. Xheku po e nënshkruan çekun për blerësin e vet.
2. Kimi K3. Më 16–17 korrik, laboratori kinez Moonshot AI publikoi një model me peshë të hapur me 2.8 trilion parametra, që në disa teste u afrua me modelet ma të mira amerikane. Indeksi i çipave ra 10% brenda javës. Frika asht e njëjta si me DeepSeek-un në janar 2025: nëse inteligjenca e mirë bahet e lirë, a duhen vërtet krejt ato GPU?
3. Kontrollet e eksportit. Të premten, Bloomberg raportoi se Moonshot-i i ka rreth 20 mijë çipa Nvidia përmes një marrëveshjeje me Alibaba-n, kurse Shtëpia e Bardhë pretendon se laboratori ka pasë qasje edhe në çipa Blackwell përmes Azisë Juglindore. Nëse Uashingtoni reagon me kontrolle ma të ashpra, NVIDIA e paguan faturën — sepse Kina tashmë asht zero në parashikimin e saj, po rregullat e reja rrallë ndalen te Kina.
Në anën tjetër të peshores rri një detaj që shpesh harrohet: me çmimin e së premtes, NVDA tregtohet me rreth 20–22 herë fitimet e parashikuara. Konsensusi i mbi 60 analistëve rri diku te $300–320, edhe pse hapësira mes ma pesimistit ($180) dhe ma optimistit ($500) tregon se askush s'asht i sigurt për asgjë. Dhe e premtja ia ktheu edhe kurorën: me Apple-in poshtë 7.35% pas rezultateve, NVIDIA u kthye kompania ma e shtrenjtë në botë — $4.86 trilion kundrejt $4.54 trilionëve të Apple-it. Apple e mbajti titullin veç katër ditë.
Opsionet: çka po thotë tregu për këtë javë
Kjo asht pjesa që e du ma së shumti, sepse opsionet s'kanë opinion — kanë çmim.
Për skadencën e 7 gushtit, call-i ATM kushton $4.83 dhe put-i ATM $3.88. Bashkë bajnë $8.71. Kaq lëvizje ka çmuar tregu për krejt javën: ±4.34% nga $200.75.


Numri që duhet me të bo me ndalë asht ai ±4.34%. Kjo asht lëvizje e çmuar për një javë të qetë vere — jo për një javë me raport punësimi të premten dhe me rezultatet e AMD-së të martën. Volatiliteti i nënkuptuar del diku te 39%, e VIX-i asht te 16.4. Të dyja po e thonë të njëjtën fjali: tregu s'po pret asgjë.
Kur mbrojtja asht kaq e lirë përballë një kalendari kaq të ngarkuar, ajo zakonisht s'mbetet e lirë gjatë.
Shënim për ata që i llogarisin vetë: shuma e straddle-it e merr rolin e 1 sigmës me shumëzues 1.0 — kështu punon shumica e tavolinave. Statistikisht, një straddle asht rreth 0.80 e devijimit standard të vërtetë, prandaj po e shumëzove me 1.25 del 1 sigma ≈ $10.9, domethanë brezi $189.8–$211.7. Dy kalkulatorë mund të japin dy numra pa qenë asnjëri gabim — pyetja asht cilin konvencion po e përdorin.
Ku përputhen opsionet me grafikun
Kjo asht arsyeja pse ia vlen me i mbivendosë dy hartat:


Kqyre atë grumbullim poshtë: $192.04 (−1 sigma), $192.80 (mesatarja 200-ditore) dhe $190.00 (fundi i korrikut) rrinë brenda tri dollarëve nga njëri-tjetri. Tregu i opsioneve dhe grafiku po e tregojnë të njëjtën dysheme pa e ditë njëri-tjetrin. Kur ndodh kjo, niveli zakonisht mban — e kur s'mban, thyerja asht e shpejtë, sepse aty poshtë ka shum stop-a të grumbulluar.
Lart, tabloja asht ma e butë: +1 sigma ($209.46) bie mes mesatares 50-ditore ($207) dhe rezistencës reale ($214). Domethanë edhe një javë e mirë e lë aksionin nën tavanin e korrikut. Për me thy $214 duhet katalizator, jo humor.
Dhe zona rreth $195 vepron si magnet i butë deri të premten, sepse aty shkruesit e opsioneve dëshirojnë ta shohin çmimin.
Tre skenarë për javën
Vini re se edhe skenari negativ s'e prish tezën afatgjatë — e prish veç hyrjen e keqmenduar.
Rreziqet që s'i kqyr askush
Sezonaliteti. Gushti dhe shtatori janë historikisht dy muajt ma të dobët të vitit. Kjo s'asht profeci, po asht arsye ma shumë me mos vendosë krejt në një javë.
Hormuzi. Një sulm i vetëm te infrastruktura saudite dhe Brent-i shkon te $100+ brenda ditës. Atëherë s'flet ma askush për AI — flitet për inflacion.
Zgjedhjet e mesmandatit. Ende larg, po tregu fillon me i çmuar herët.
Rreziku i kredisë te AI. Primet e siguresave kundër falimentimit (CDS) të NVIDIA-s janë zgjeruar. Kur tregu i obligacioneve fillon me pyetë, tregu i aksioneve zakonisht e ka radhën ma vonë.
Mundësitë që s'i kqyr askush
Vlerësimi. Njëzet herë fitimet për një kompani që rritet 85% në vit s'asht çmim flluske. Asht çmim skepticizmi.
Kapitali po vjen. Meta e rriti planin e shpenzimeve kapitale për këtë vit, Microsoft-i po ashtu, Alphabet-i po ashtu. Klientët po shpenzojnë ma shum, jo ma pak.
Volatiliteti asht i lirë. Një straddle javor prej veç 4.34% para një raporti punësimi asht mbrojtje e lirë. Për këdo që shet prime, kjo asht kujtesë se marzha e sigurisë asht ngushtuar — po merren ma pak para për të njëjtin rrezik.
Data 26 gusht. Volatiliteti i nënkuptuar ka me u rritë gradualisht gjatë tri javëve të ardhshme, ndërsa rezultatet i afrohen skadencave. Kush e njeh strukturën e termit të volatilitetit, e di se kjo asht dritare pune, jo dritare pritjeje.
Lista e kontrollit për javën
E marta pas mbylljes: udhëzimi i AMD-së për tremujorin e ardhshëm — jo fitimi i kaluar, po udhëzimi.
Mbyllja e NVDA-së mbi apo poshtë grumbullimin $190–192.80.
Brent-i: a e mban $88–90 apo shkon te tresh-shifrori.
E premtja 8:30: numri i punësimit dhe revizionet e majit e qershorit.
VIX-i: nëse ngjitet mbi 20 pa rënë tregu, dikush po blen mbrojtje herët. Kqyre atë sinjal.
Ky artikull asht material informativ dhe edukativ, jo këshillë investimi. Të dhënat janë të mbyllura më 31 korrik 2026 dhe mund të qenë ndryshuar. Çmimet e opsioneve lëvizin çdo ditë — verifikoji para se t'i përdorësh. Investimi në aksione dhe opsione bart rrezik humbjeje të kapitalit; vendimet merri vetë, ose me një këshilltar të licencuar.
Burimet kryesore: raportet zyrtare të NVIDIA-s dhe dorëzimet në SEC; Rezerva Federale; Byroja e Statistikave të Punës (BLS); Byroja e Analizave Ekonomike (BEA); zinxhiri i opsioneve për skadencën 7 gusht 2026; CNBC; Reuters; Bloomberg; Wall Street Journal; Kiplinger; Trading Economics.